Kundër Italisë nuk luan Berisha në portë dhe duket se do të luajë i riu i talentuar Strakosha. Megjithëse këto janë zgjedhje të trajnerit, kjo situatë më nxiti në këtë reflektim. Në fund të fundit askush nuk na e heq të drejtën të shprehim opinionin tonë për këtë zgjedhje.
Kam përshtypjesn se, përtej vlerave sportive teknike, Alban Hoxha meriton të jetë titullar në këtë ballafaqim të rëndësishëm. E meriton si sportist, e meriton si profesionist, e meriton si djalë me një karakter të spikatur që e ka demostruar në fushë e jashtë saj.
Për shumë vite ka qënë portjeri rezervë i Kombëtares, edhe kur shkëlqente në kampionat, siç vazhdon të shkëlqejë, edhe kur “la nam” në Austri e u bë simbol i gjithë futbollit shqiptar.
Natyrisht, edhe Strakosha i ri është një talent i madh e një perspektivë e shkelqyer. Nuk ka dyshim që e ardhmja është e tij dhe me siguri do të dijë të justifikojë mbiemrin e madh që ka e do ta bëjë akoma më të madh…
Por, në këtë rast problemi nuk është individual. Alban Hoxha, përveç të tjerave, është edhe përfaqësuesi i futbollit të luajtur në Shqipëri. Ndaj dëshira që ai të luajë lidhet edhe me mundësinë për të afirmuar faktin që edhe lojtarë të Superligës tonë mund të jenë në formacion si të barabartë me ata që luajnë jashtë. Në këtë kontekst Alban Hoxha e Liridon Latifi, për vlerat sportive fillimisht e pastaj edhe për simbolikën e përfaqësuesve të futbollit “bio” shqiptar do të dëshiroja ti shikoja në fushë kundër Italisë së madhe.
Në fund të fundit, nuk besoj se është vetëm dëshirë e imja, por edhe po qe, nuk kam ndroje ta them me zë të lartë.
Prof.Dr. Artan Shyti