Ventura: Italia i trembet Shqipërisë që luan për historinë!

Në letër gjithçka është e thjeshtë. Italia, me Bufonin, De Rosin, Verratin, Kandrevën, Insinjen, Imobilen dhe Insinjen është në gjendje ta mundë fare lehtë Shqipërinë pa Mavrajn, Berishën e Gjimshitin, si dhe me lojtarë me klas, por me probleme si Kaçe e Manaj, që mungojnë. Gjithsesi, trajneri Xhan Piero Ventura është një “ujk” i vjetër dhe di të krijojë fjali bindëse për të treguar rrezikun.

“Shqipëria dëshiron të hyjë në histori, ndaj do të duhet një Itali shumë e mirë, agresive, – thotë ai, – pres që ekipi të bëjë edhe më përpara, ndërsa më kanë bërë përshtypje shumë të mirë lojtarët me përkushtimin e tyre”. Ventura shton se “ndeshja do të jetë e rëndësishme për rritjen tonë si skuadër, pasi vetëm vështirësia të bën të rritesh”. Trajneri italian e ka  shumë të qartë se as Koreja e Veriut në 1966 dhe as Qipro në 1983 nuk kishin në letër asnjë shans, por e para e mundi Italinë, dhe e dyta i mori barazimin.

Përkufizimi i Venturës për ndeshjen është se “e pres që të mos ketë asnjë minutë të thjeshtë, për shkak të asaj që përfaqësojnë rivalët tanë dhe Xhani De Biazi”. Trajneri i Italisë e sheh Shqipërinë të mbyllur në mbrojtje, ndërsa shpreson një dhuratë nga Izraeli në ndeshjen ndaj Spanjës.

Sfidanti.al