Kapiteni i jashtëzakonshëm duhet të dëgjohet kur flet. Xhanluixhi Bufonit i erdhi radha që të flasë edhe për Shqipërinë, kjo edhe për shkak të rritjes së kuqezinjve, por edhe për shkak të fatit të shortit. Numri 1 i Italisë “i heq dorezat” kur flet “pa dorashka” dhe thotë se “kam respekt të madh për Shqipërinë”. “Në dy vjet skuadra shqiptare ka bërë përparim të madh dhe e tregoi në Europian ku luajti si e barabartë me të gjithë, – vazhdon gardiani i portës, – duhet t’ia kemi frikën, dhe këto fjalë nuk i them në mënyrë formale”.
Bufon, gjithsesi, e di se ka diferencë me skuadrave, “jemi të ndërgjegjshëm për potencialin tonë”, thotë ai, veçse thekson se nuk ka më skuadra të lehta dhe se kjo e ka bërë më të bukur lojën e futbollit.
Kapiteni pyetet për faktin se ndaj Shqipërisë do të luajë ndeshjen numër 1000 në karrierë, si dhe për atë që do të jetë ndeshja e fundit. “Është një arritje e madhe, – pohon kapiteni i Italisë, – kam provuar lumturi dhe vështirësi të mëdha, kënaqësi dhe lodhje. Jam i sigurt vetëm për faktin se nuk do të ketë 1000 ndeshje të tjera, dhe kjo më lehtëson”.
Cila do të jetë sfida e fundit? “Të shkojmë një herë në Botëror pastaj flasim, – thotë juventini, – ndoshta do të jetë atje ndeshja e fundit. Ndoshta do ta mbyll si Zidani, duke goditur me kokë ndonjë në fushë”.
Sfidanti.al