Njeriu është një qenie shumë egoiste, ndonëse kjo nuk mund të thuhet gjithnjë në sensin e keq. Aq më tepër kur flitet me sinqeritet. Xhani De Biazi nuk i fshehu gjërat në daljen e tij përpara mediave italiane në Palermo, dhe pohoi me plot gojën se gruaja dhe vajza e tij do të jenë tifozë me Shqipërinë. Qartë, do të jenë tifozë me De Biazin, pasi nëse ai nuk do të ishte në stolin kuqezi, ato as nuk do ta mendonin diçka të tillë. Gjithsesi, ky është globalizmi i mirë, ai që lidh njerëzit dhe që i bën dy italiane “doc” që të përkrahin skuadrën e një shteti që realisht nuk ka as kulturën dhe as zhvillimin ekonomik të njërit prej “djepeve” të qytetërimit europian.
Vajza e De Biazit do të jetë në “Renco Barbera” të Palermos së bashku me të shoqin dhe do të brohorasë për Shqipërinë. Po e shoqja? “Gruaja ime gjithmonë i shikon ndeshjet në televizor, kështu do të bëjë edhe këtë herë dhe do të mbështesë burrin e saj”, – ishin fjalët e Xhanit, që në familje sërish njihet me “Xhani”, natyrisht jo me “Gani” si këtej Adriatikut.
Sfidanti.al