Hamilton e Fetel, rokadë në Australi, për favoritët e Formula 1!

Motorët do të ndizen këtë fundjavë dhe sezoni i ri do të fillojë. Formula 1, ndonjëherë monotone, por gjithmonë gati të sjellë të papritura, nis kampionatin e ri botëror. Kanë kaluar vetëm pak muaj që nga triumfi i Rosbergut, ndërsa Çmimi i Madh i Australisë duket sikur vjen pas një kohe të gjatë. Kjo sepse Ferrari duket se po e mbërrin Mercedesin, të paktën nëse mbështetesh tek provat e zhvilluara pak ditë më parë në Barcelonë.

Ka edhe një ndryshim në parashikime, edhe pse në krye si favorite vendoset sërish Mercedesi dhe padyshim Ljuis Hamiltoni. Por është vetë tri herë kampioni i botës që flet ndryshe. “Ferrarin e shoh këtë vit si favorite për të fituar titullin, – tha anglezi, – u treguan shumë të shpejtë”. Këtë respekt nuk e pranon “i zoti i punës”, Sebastian Fetel. Piloti kryesor i Ferrarit shprehet se “Mercedesi mbetet favorit për atë që ka bërë këta vjet, skuadra gjermane nuk e ka treguar plotësisht potencialin e saj”.

Të shohim si do të shkojnë provat zyrtare dhe pastaj gara e së dielës në pistën e Melburnit, “Albert Park”. Ferrari feston 70-vjetorin e krijimit, ndërsa ka 10 vjet që nuk fiton titullin. Mercedesi ka fituar 51 nga 59 garat e fundit, ndërsa në pretendime mund të jetë edhe Red Bulli.

Sfidanti.al