Kastrioti-Bylis do të luhet, si i bëhet me arbitrat apo s’ka nevojë për kërcënim?

Pas ngjarjes së rëndë në fundjavë, ku për shkak të kërcënimit me jetë të arbitrit Juxhin Xhaja u anulua ndeshja mes Kastriotit dhe Bylis, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që kjo sfidë të luhet të mërkurën në datën 19 prill në stadiumin “Elbasan Arena”. Në njoftimin e saj federata gjithashtu thotë se duke nisur nga kjo sfidë, skuadra krutane do të luajë të gjitha ndeshjet e saj në këtë impiant, pasi policia nuk merr përsipër garantimin e sigurisë në stadiumin e Kamzës, ku Kastrioti kishte luajtur ndeshjet e tij në “shtëpi” gjatë këtij sezoni. Qeveria e futbollit në vend flet edhe për kërcënimin e arbitrit dhe familjarëve të tij. “FSHF është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet ligjzbatuese për zbardhjen e ngjarjes së rëndë të ndodhur me zyrtarët e ndeshjes. Hetimet janë duke vazhduar dhe në të njëjtën kohë  presim që gjithҫka të sqarohet sa më parë në mënyrë që gara të vazhdojë normalisht deri në fund”, lexohet në njoftimin e Federatës. Pyetja që bëhet është sesi janë bindur arbitrat të marrin përsipër ndeshjen, apo tashmë nuk ka nevojë për kërcënime?

Sfidanti.al