Spektakël dhe një surprizë në ndeshjen më të madhe të mbrëmjes në NBA. Boston zhgënjen, duke u mundur me rezultatin e thellë 130-111 në transfertën e Uashingtonit. Për Sëlltiks nuk mjaftuan 28 pikët e Xhejzon Tatum. Nga ana tjetër, megjithëse me shumë mungesa të rëndësishme si ato të Kuzma dhe Bil, Uizards arritën suksesin e rëndësishëm falë letonezit Porzingiz. Ai mbylli sfidën me dy shifra dopjo, 32 pikë dhe 13 topa të kapur në tabelë. Një fitore të madhe me përmbysje mori Golden Steit. Kampionët në fuqi të NBA kaluan Nju Orlins me rezultatin 120-109. Spektakolare paraqitja e Stefën Kerrit i kthyer në ditët e tij më të mira, duke shënuar 39 pikë. Po ashtu, ylli i Uorriors kapi tetë topa në tabelë dhe dha po aq assist për shokët e tij të skuadrës. Nuk ndalet Memfis, që mori fitoren e shtatë radhazi. Në rrugën e Grizlis ranë edhe “Magjikët” e Orlandos. Desmond Bein ishte njeriu i mbrëmjes me 31 pikë, por edhe katër lojtarë të tjerë të Memfis e mbyllën ndeshjen me shifra dopjo në tabelën e shënuesëve. Në ndeshjet e tjera të mbrëmjes fitore siguruan Atlanta, Toronto, dhe Sharlota.
Sfidanti.al