Levandovski: Shqipëria ishte e fortë, por rëndësi ka që Polonia fitoi!

Robert Levandovski është shprehur i kënaqur me tri pikët që Polonia mori pas fitores kundër Shqëipërisë. Ylli polak gjeti shumë pak hapësira dhe për këtë vlerësoi lojën e skuadrës kuqezi. Polonia mund të marrë frymë lirisht pas fitores së vuajtur në shtëpi kundër Shqipërisë. Robert Levandovski nuk e fsheh gëzimin për tri pikët e para në këto eliminatore për Euro 2024. “E rëndësishme ishte të fitonim, – tha ai, – Nuk ishte e lehtë sidomos pas humbjes në ndeshjen e parë. Kishim përballë një skuadër të fortë dhe të vendosur mirë në fushë. Por siç thashë, e rëndësishme ishte të fitonim dhe ia arritëm. Tani duhet të shohim përpara për të arritur objektivin tonë që është kualifikimi”

Levandovski gjeti shumë pak hapësira në mbrojtjen e Shqipërisë, ndërsa si rrallë herë arriti të godasë vetëm një herë në portën e Strakoshës.  “Më kujtohen disa lojtarë nga ndeshjet e fundit, por ata luajtën shumë mirë në grup. Ishin të organizuar dhe na e bënë të vështirë. Rëndësi për ne kishte fitorja. E dimë mirë se sa i vështirë është ky grup”, ishin fjalët e tij. Polonia do të luajë ndeshjen e ardhshme në eliminatoret e Euro 2024 më 20 qershor në transfertën kundër Moldavisë.

Sfidanti.al