Pritej një ndeshje krejt tjetër, sidomos pas asaj ndaj “tulipanëve”. Franca, nënkampione e botës, arriti vetëm një fitore tepër të vështirë, të ngushtë, e me vuajtje, në fushën e Irlandës në sfidën e dytë eliminatore të Europianit. Mjaftoi goli i mbrojtësit të Bajernit, Benzhame Pavar, por zhgënjimi ishte i madh që Kilian Mbape me shokë nuk patën paraqitje dominuese si ajo ndaj Holandës pas ditë më parë në “Stadë dë Frans”, ku fituan 4-0. Madje, përveç një golshënuesi jo edhe aq tipi si Pavari, u desh edhe një hero tjetër për të siguruar tri pikët në Irlandë. Portieri Menja ishte i shkëlqyer sidomos në minutat e fundit.
Gardiani i Milanit, që për fat është kthyer kohët e fundit nga dëmtimi, sidomos ishte vendimtar në pritjen e dytë. E përditshmja pariziene “L’Ekip” tregohet krejtësisht e sinqertë: Rezultati i vërtetë është 1-1, përveç faktit që ne kishim Menjanë!” “La Gazeta delo Sport” vlerëson se Menja çmend Francën dhe tashmë kthehet në “Spajder Majk”, pra në “Majkun Merimangë”! Ja edhe “Marka” e Spanjës, që shkruan se Menja fluturoi pa motor e se është kthyer në Harkun e ri të Triumfit që mban në këmbë Francën! Fitorja ishte e rëndësishme për “gjelat” duke pasur parasysh se Holanda e fitoi ndeshjen e saj ndaj Gjibraltarit me rezultatin 3-0, e po ashtu që Greqia e ka fituar ndeshjen e vetme që ka luajtur.
Sfidanti.al