Katër vjet më parë ishte shumë më i ri, por gjithsesi tepër i talentuar. Jasir Asani ka bërë hapa përpara që kur shkëlqente për Partizanin në Superligën shqiptare në sezonin 2018-2019 kur fitoi titullin, ndërsa sot ai mund të festojë një arritje të madhe. Sulmuesi i krahut nga Maqedonia e Veriut e ka realizuar ëndrrën e tij për t’u bërë pjesë e kombëtares, dhe këtë e kremtoi në mënyrë krejt të veçantë, me tre gola në Ligën Profesioniste të Koresë së Jugut. Asani, 27-vjeçar ishte titullar për ekipin ku luan prej 2 muajsh, Kuanxhu, dhe shkëlqeu si askush tjetër. Padyshim që djaloshi i lindur në Shkup e kishte marrë ftesën e trajnerit Silvinjo për të qenë pjesë e ekipit përfaqësues për sfidën eliminatore ndaj Polonisë, dhe kjo e kishte frymëzuar edhe më shumë.
Kuanxhu fitoi 5-0 ndaj Inçënit dhe shqiptari realizoi golin e parë, të katërt dhe të pestë. Kuanxhu është në vendin e katërt në Ligës koreanojugore, me 6 pikë në 4 ndeshje, por duke qenë vetëm tri pikë larg kreut. Trajneri Silvinjo e ndoqi direkt në televizor ndeshjen e luajtur sot në orët e para të mëngjesit, dhe padyshim që mbeti shumë i kënaqur. Pasi luajti 4 ndeshje me Maqedoninë U21, pasi luajti në një ndeshje për Shpresat e Shqipërisë, dhe pasi u dallua në Superligën e Hungarisë me Kishvardën, Asani u gradua një shkallë me lart, në ekipin e të rriturve.
Sfidanti.al