UEFA kundër Napolit për tifozët e Frankfurtit!

Tashmë është kthyer në një çështje tepër të nxehtë. Ndalimi i tifozëve të Frankfurtit për të udhëtuar drejt Napolit për ndeshjen e Championsit, solli jo vetëm reagime nga Gjermania, por edhe nga UEFA. Presidenti i organizatës që drejton futbollin europian, Aleksandër Çeferin, ka shprehur qartë mbështetjen e tij për tifozët gjermanë. Ai e ka cilësuar të patolerueshëm vendimin e autoriteteve italiane që tifozët e Frankfurtit të mos kishin mundësi të ndiqnin ndeshjen në stadium, apo qoftë edhe në qytetin e Napolit.

Çeferin deklaroi se mbështet klubin gjerman që do ta dërgojë këtë çështje në gjyqin sportiv, madje paralajmëron ndëshkime edhe më të ashpra në të ardhmen. Sipas fjalëve të tij, UEFA do të reagojë, dhe nëse një gjë e tillë do të ndodhë përsëri, do të ndalohet që ndeshja të luhet në stadiumin e parashikuar, por në një fushë asnjanëse. Ministria e Brendshme italiane, dhe prefektura e Napolit vendosën ndalimin e tifozëve gjermanë nga frika e trazirave në qytet dhe në stadiumin “Maradona”. Ultrasit e Frankfurtit njihen për sjelljen e tyre ekstreme, siç e treguan edhe përpara finales së Ligës së Europës vitin e kaluar në Sevilje të Spanjës.

Sfidanti.al