Spektakël i trefishtë i Dejvi Bregut: shënon , fiton dhe..demaskon!

Devi Bregun, sulmuesin e shpejtë dhe të pakapshëm të Luftëtarit, nuk e kanë hall vetëm mbrojtësit e Superligës,  rreziku shkon edhe  më lart, deri tek ..mbrojtësit e sistemit, falë të cilit ngjarjet komandohen për bukuri.  Bregu ka realizuar “trininë e shenjtë” pas triumfit me Tiranën këtë javë:  ka shënuar , ka fituar ndeshjen dhe si shpërblim nga arbitri ka marrë një karton të porositur me ..delikatesë. Ja fjalët që i dolën nga shpirti Dejvit: “ Arbitri më dha kartonin e verdhë që të mos jem në fushë në ndeshjen me Kukësin..” Dhe për çudi ishte një arbitër që nuk bën pjesë tek “brezi i njollosur”. Quhet  Juxhin Xhaja, pikërisht ai djaloshi rekordmen që bëri histori me dy penallti të kulluara brenda 2 minutave. Këtë herë nuk u shpall hero, madje  ka nxitur dyshime me vendimin e tij hileqar ndaj sulmuesit , të cilin  nuk po e ndalim dot me shkelma, por vetëm me ..kartona. Cili ishte gjesti i tij për të merituar kartonin “vrasës”? Sulmuesi ka vazhduar aksionin në një rast, ku edhe shënoi një gol të parregullt, pasi arbitri i kishte rënë bilbilit. Edhe në maviolë, enigma mbetej në fuqi, dhe   duket si një episod i stisur për të realizuar aktin e premtuar. Dhe nëse paska fryrë bilbili, siç pretendohet ,atë nuk  e shpërfilli vetëm  Bregu, por edhe një mbrojtës i Tiranës bashkë me portjerin bardheblu..

Fjalët e Bregut se kartoni i verdhë ka qënë një porosi si “pica taxi” , nga ato që janë  bërë modë në kampionatin tonë, ku kundërshtarët fabrikojnë kartona me pagesë për të dëmtuar njëri- tjetrin, kanë vrarë veshët e atyre që përgjojnë ekranin. E mbani mend historinë e Vllaznisë, të treguar bukur dhe me qesëndi nga Elis Bakaj,  kur para ndeshjes arbitri Alla pyeti shkodranët me “çiltërsi” : çuna cilët nga ju kanë kartona?  Çunat e Shkodrës e  besuan “djallin”  duke treguar 3 emra, pikërisht ato që i duheshin arbitrit për t’i ngarkuar me kartona të tjerë, për të mos luajtur në ndeshjen e ardhshme.  Në rastin e Devi Bregut, ka një kleçkë që nxjerr zbuluar arbitrin e ri Xhaja, i cili me siguri duhet ta kishte ngulitur në kokë se në këtë raste, sipas rregullores, kur vazhdon akisoni pa e dëgjuar bilbilin, në fillim jepet këshilla dhe pastaj kartoni.

Sfidanti.al