Gjyqtari dënim përjetë për një penallti të gabuar të dhënë!

Mos ndoshta FIFA e ka tepruar, madje pak si shumë? A mundet që një arbitër futbolli të pezullohet përjetë sepse ka dhënë një penallti të gabuar? Habia mund të jetë e madhe, por ky është realiteti pasi “qeveria botërore e futbollit” e mori këtë masë për gjyqtarin Xhozef Lamptei nga Gana, që dha një penallti të paqenë në favor të Afrikës së Jugut, në eleminatoret e Botërorit që janë në vazhdim.

Lamptei dha penallti kundër Senegalit, ndërsa pretendoi se topi u prek me dorë nga mbrojtësi i Napolit, Kulibali. Pamjet filmike treguan qartë se topi ishte përplasur në gju, por arbitri e dha 11-metërshin që u kthye në gol, ndërsa Afrika e Jugut fitoi 2-1. FIFA nuk ka bërë komente, por ka thënë se do të presë derisa vendimi të jetë i formës së prerë. Besohet se do të ishte hera e parë që një dënim i tillë jepet, ndërsa ngrihet pyetja se përse nuk janë dhënë dënime të rënda për gjyqtarët e tjerë.

Sipas këtij standardi, gjyqtari që drejtoi ndeshjen Barcelona-Paris SG në Champions, duhet të futej në qeli për mënyrën sesi drejtoi, duke mos dhënë penallti për PSG-në, dhe duke dhënë një penallti të paqenë për Barcelonën, që edhe u kualifikua.

Sfidanti.al