Klivlendi nuk ndalet kur treshja e madhe shkëlqen fort!

Kur tre basketbollistë shënojnë 100 pikë në një ndeshje, padyshim që kjo duhet të quhet një paraqitje e jashtëzakonshme. E tillë ishte ajo e treshes së Klivlendit, e përbërë nga Lebron Xhejms, Kajri Irving dhe Kevin Lov, në ndeshjen që doli e vështirë në fushën e Lejkërsave. Përballë ekipit të vendit të fundit të Konferencës Perëndimore, u desh ky nivel që të arrihej fitorja 125-120 dhe të mos rrezikohej më tej kreu në renditjen e Konferencës Lindore.

Kajri Irving shënoi 46 pikë, Lebron Xhejms shtoi 34 dhe luajti mirë në elementët e tjerë (6 topa në tabela, 7 asistë), ndërsa Kevin Lov e bëri pjesën e tij, me 21 pikë dhe 15 “tabela”. Vetëm kjo dha rezultat në “Stejpëll Sentër” në Los Anxhelos. Lebron është shumë i kënaqur që Lov u kthye nga dëmtimi dhe tani barra nuk do t’i mbetet vetëm atij dhe Irvingut. Pavarësisht se Kavaliersi kampion ka ende dëmtime, sërish treshja e madhe mjafton që të rivalizojë edhe me skuadrat më të forta të Perëndimit dhe të NBA-së si Golden Stejti apo San Antonio. Për më tepër, trajneri Lu, ka vendosur të lerë pushim herë pas here yjet e tij, që do të ndikojë në plej of.

Sfidanti.al