Kasemiro as tek Reali nuk i merrte të kuqtë si tek Man. Junajtidi!

Iu desh shumë pak kohë për t’ia dalë. Kasemiro mund të jetë njëri nga lojtarët më të mirë tek Mançester Junajtidi, njeriu që ka ndikuar më shumë se të gjithë në ndryshimin e fatit të ekipit, por gjithsesi jo gjithçka në ishull po kalon shkëlqyeshëm. Mesfushori brazilian, që ka udhëhequr skuadrën drejt vendeve të larta në Premier Ligë dhe po ashtu drejt një trofeu në Ligën e Europës, mori karton të kuq në barazimin zhgënjyes të “djajve të kuq” në kampionat. Përfundoi 0-0 në “Old Traford” ndaj Sauthemptonit, pra ndaj ekipit të fundit të renditjes, dhe një pjesë të mirë të fajita për këtë e pati kartoni i kuq i brazilianit. Ai u përjashtua që në pjesën e parë, duke e dëmtuar shumë skuadrën dhe mori një të kuq direkt.

Ky ishte përjashtimi i dytë për Kasemiron në vetëm 39 ditë në ekip, dhe me këtë ai ka barazuar rekordin negativ që pati tek Reali i Madridit. Ai u përjashtua herën e parë në Angli në ndeshjen ndaj Kristël Palasit, dhe gjithashtu ai ishte një karton i kuq direkt. Jo vetëm kaq, por rekordi në Premier Ligë për brazilianin është shumë më i keq sesa tek Reali, pasi në Spanjë ai nuk mori asnjëherë karton të kuq direkt, por vetëm pas dy të verdhave, siç ndodhi për herë të fundit në 2019, kur madrilenët fituan 4-1 në fushën e Vajadolidit.

Sfidanti.al