Nuk është aspak një moment i mirë për Denver. Naxhets pësuan humbjen e tretë radhazi duke u dorëzuar edhe përballë Bruklin Nets me rezultatin 120-122. Për kryesuesit e Konferencës së Perëndimit nuk mjaftoi një tjetër paraqitje spektakolare e Nikola Jokiç, që mbylli sfidën me tre shifra dopjo 35 pikë, 20 topa në tabelë dhe 11 asist. Nga ana tjetër, njeriu i suksesit për Bruklin ishte Brixh, me 25, por loja e skuadrës bëri diferencën pasi shtatë lojtarë të tjerë realizuan me shifra dopjo.
Në mbrëmjen e fundit të NBA ka përfunduar edhe seria pozitive e Los Anxheles Lejkërs. Pas tre fitoreve radhazi skuadra kaliforniane u mund nga Nju Jork Niks me shifrat 108-112. Shënuesi më i mirë i sfidës ishte D’Anxhelo Rasëll me 33 pikë, ndërsa dy shifrat dopjo të Entoni Drevis me 17 pikë dhe 16 topa në tabelë nuk i mjaftuan Lejkërs, që gjithsesi mbeten në zonën e play-off. Vazhdon të fitojë Filadelfia, që sulmon vendin e dytë në Konferencën e Lindjes pas suksesit 112-93 në dëm të Uashington. Xhoel Embid shkëlqen edhe një herë me 34 pikë, ndërsa nuk qëndron pas me paraqitjen e tij as Xhejms Harden me 18 pikë dhe 14 asist për shokët e skuadrës. Në përballjet e tjera të mbrëmjes, fitore siguruan edhe Klivlend, Oklahoma apo Nju Orlins.
Sfidanti.al