Juventusi nuk i bën punë Vlahoviçi, por i prishin punë serbët e Sampdorias!

Nëse nuk do të ishte për pikët e hequra, tani do të mbante vendin e dytë. Por mund të jetë kështu në një të ardhme të shpejtë. Me shpresën e një fitoreje në drejtësinë sportive, Juventus bën detyrën në fushën e lojës, duke u kthyer te suksesi në Serinë A. “Zonja e Vjetër” mundi 4-2 Sampdorian, duke vijuar ngjitjen në tabelën e renditjes. Një sfidë emocionuese ajo në “Alianz Stedium”, ku të besuarit e Alegrit gjetën shumë shpejt epërsinë. Në minutën e 11-të, Bremer hapi serinë e golave. Juventus shënoi edhe golin e dytë me Rabio në të 26-ën, duke dhënë përshtypjen e një sfide të mbyllur përpara kohe. Por këto parashikime u rrëzuan që në pjesën e parë. Sampdoria barazoi shifrat me dy gola në vetëm dy minuta. Në fillim Auxhelo dhe më pas Djuriçiç ndëshkuan Juventinët, duke ngrirë tifozët në tribuna.

Pas pushimit, të zotët e shtëpisë u kthyen sërish në epërsi në minutën e 64-rt me golin e dytë personal të Rabio. Vetëm pesë minuta më pas Vllahoviç kishte në këmbët e tij mundësinë për të mbyllur ndeshjen, por sulmuesi serb konfirmoi momentin e tij të vështirë, duke goditur shtyllën nga pika e penalltisë.  Gjithsesi, në minutën e katërt shtesë, Juventus plotësoi “pokerin” e golave me Soule që vulosi fitoren e “Zonjës së Vjetër” që pret të trondisë garën për Champions në këtë sezon të Serisë A.

Sfidanti.al