Tek Arsenali duhet të jenë “të rrjedhur”, teatër me postin e trajnerit!

“Kupa me kapak, kupa pa kapak”. Duket se kështu po përpiqen të flasin me shpejtësi drejtuesit e Arsenalit, dhe natyrisht që po bëjnë gabime. Çështjes së trajnerit nuk po i vihet dot “kapak”, dhe nëse kjo do të ndodhë, mund të ketë edhe çudira. Le të dalin tifozët kundër Arsen Vengerit, le të ngrenë ata dronin apo edhe avionin me parullat “Venger jashtë, jo rinovim kontrate”, duket se bordi drejtues i “topçinjve” po mendon të kundërtën. Trajneri francez, natyrisht që pëlqen të vazhdojë punën që e ka prej 21 vjetësh, pavarësisht nga edicioni më i dobët që kur ndodhet tek Arsenali.

Në Gjermani kanë vënë duart në kokë pasi atje ishte përhapur lajmi (jo pa baza) se trajneri i ri i skuadrës londineze do të ishte Tomas Tuhel. Specialisti i ri dhe elegant i Dortmundit po vazhdon me guxim dhe talent punën e nisur nga Jurgen Klop, edhe pse nuk po ia del të jetë rival i Bajernit. Siç thotë Murinjo, “Bajerni e fiton kampionatin që në verë kur merr lojtarin më të mirë të Dortmundit”. Gjithsesi, Arsenalit nuk i bëhet vonë për të fituar Premier Ligën duke marrë trajnerin e Borusias, por mund të vazhdojë një traditë që po shkon çerek shekulli me Vengerin.

Sfidanti.al