Ishte tepër e vështirë, por përfundimi ishte i lumtur. Skënderbeu u bë fitues i Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra, pas një finaleje tepër të fortë të luajtur në Pallatin e Sportit të Farkës. Vajzat korçare, të drejtuara nga trajneri Orlando Koja, mposhtën Partizanin me shifrat 3-2 me sete dhe kështu fituan trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend pas plot 45 viteve. Përfundimi i ndeshjes ishte krejt i paqartë pasi kryeqytetaset fituan setin e parë 25-18, veçse Skënderbeu u përgjigj në të dytin 25-16. Edhe seti i tretë ishte për ekipin e Kojës, ndonëse tepër i ekuilibruar dhe përfundoi 25-23. Partizani i trajnerit turk Bylent Karshioglu nuk u dorëzua dhe barazpeshoi rezultatin në setin e katërt që e fitoi 25-16. Në setin final, korçaret u treguan më të qeta duke fituar bindshëm 15-11 e duke marrë trofeun. Kjo ishte kupa e tetë e fituar nga Skënderbeu, që vjet u shpall edhe kampion, dhe që këtë sezon ka fituar Kupën e përbashkët “Gjergj Kastrioti”, me pjesëmarrje të ekipeve të Shqipërisë e të Kosovës.
Sfidanti.al