Superliga, Tirana ngjitet në krye, pasi Partizani ngeci në Shkodër!

Nuk zgjati shumë barazpesha në vendin e parë. Tirana ia doli sërish të ngjitej e vetme në krye të Abisnet Superligës falë fitores aspak të lehtë ndaj Laçit, dhe pas barazimit të Partizanit në Shkodër. Kampionët në fuqi të vendit ia dolën 3-2 në “Elbasan Arenë”, ndërsa fillimisht u duk se do të arrinin një sukses të thellë. Të besuarit e trajnerit Orges Shehi kryesuan 3-0 që në pjesën e parë me golat e shënuar dy herë nga Hasani dhe nga Lulaj fare në fund. Gjithsesi, pas pushimit, Tirana e uli ritmin dhe kurbinasit arritën të reagonin. Guindo rihapi ndeshjen në 55’, por goli i dytë erdhi në 93’ nga Ujka, kur nuk kishte më shpresë.

Në Shkodër u luajt një përballje shumë e fortë, por që nuk pati fitues. Partizani e nisi më mirë dhe shënoi tepër shpejt me anë të Da Silvës, por nuk qe e thënë që fitorja në derbi të kishte vazhdimësi. Shpejt, Vllaznia fitoi penallti dhe Bekim Balaj shënoi më në fund golin e tij të parë që pas kthimit në Superligë në janar. Një pritje e gjatë, dhe nuk ishte realizim nga loja, por nga goditja standarde. Përballja në “Loro Boriçi” ishte e fortë deri në fund, dhe të dyja skuadrat patën raste dhe luftuan, ndonëse pas pushimit Vllaznia bëri më shumë. Pas 25 javësh kampionat, Tirana kryeson me 43 pikë ndaj 41 të Partizanit, ndërsa Vllaznia me Egnatian kanë nga 37.

Sfidanti.al