Nga Gjermania kërkojnë përjashtimin e Napolit nga Championsi!

Ndeshja e parë shkoi shumë mirë, por në Itali frika është e madhe. Napoli do të presë javën që vjen Frankfurtin në stadiumin “Maradona”, në ndeshjen e kthimit në Champions, ndërsa autoritetet italiane kanë vendosur të ndalojnë mbërritjen e tifozëve gjermanë. Ky vendim i ministrisë së brendshme ka shkaktuar reagime të forta në Gjermani. Armand Corn, deputet i Bundestagut nga Frankfurti ka protestuar për vendimin e klubit italian dhe të autoriteteve italiane, duke e quajtur diçka pa precedent në historinë e kupave të Europës.

Më larg ka shkuar, Maksimilian Klokner, anëtar i këshillit bashkiak të Frankfurtit, që ka kërkuar nga UEFA që të përjashtojë Napolin nga Championsi, sepse ka shkelur një të drejtë themelore siç është ajo e tifozëve për të ndjekur ndeshjen. Sipas rregullave, tifozët gjermanë do të kishin marrë 2 700 bileta për në stadiumin “Maradona”, por tashmë kjo nuk është më e vlefshme. Në Gjermani njoftojnë se janë anuluar fluturimet e 6 avionëve çarter që ishin porositur për të transportuar përkrahësit e Ajntrahtit.

Sfidanti.al