Ksavi nuk lumturohet, por ishte e madhe që kjo Barcelonë arriti fitoren!

Nuk ishte ndeshja më e vështirë e mundshme, por aspak më e lehta. Jo vetëm sepse Valencia ka një emër në futbollin spanjoll, por edhe sepse Barcelona pati mjaft mungesa e shqetësime. Robert Levandovski, Pedri dhe Usman Dembele ishin të dëmtuar, e po ashtu Gavi ishte i pezulluar. Jashtë loje edhe trajneri Ksavi Hernandez, i pezulluar për shkak kartonësh, që e ndoqi ndeshjen nga tribuna e “Kamp Nout”, ndërsa në 30 minutat e fundit katalanasit luajtën me 10 vetë sepse u përjashtua Ronald Arauho. Me gjithë këto “bela”, fitorja 1-0 ishte tepër e vlefshme falë golit të Rafinjës, e bashkë me ngecjen e Realit (0-0 në Betis), Barça ka tani 9 pikë epërsi. “Problemi ynë është që shpesh nuk kemi saktësi para portës, – thotë Ksavi, – kjo na kushton për të mbyllur ndeshjet. Mëkat i madh sepse duhej të kishin qenë fitore më të thjeshta. Gjithsesi, kemi ditur të jemi të bashkuar e të vuajmë së bashku, ndaj edhe kemi fituar”.

Sfidanti.al