Ishte një nga ato rezultate që mund të ndryshojnë një sezon. Lacio nuk mund të pretendojë se i është afruar nivelit të Napolit, që duket sikur luan në një planet tjetër, por gjithsesi kur fiton në stadiumin “Maradona” tregon se vlen. Skuadra nga kryeqyteti i Italisë triumfoi 1-0 në fushën e napolitanëve, falë një goli të bukur të shënuar nga Vesino, ndërsa përballoi presionin e madh të vendasve. Ishte një fitore e arritur me vuajtje, pasi vendasit bënë presion gjatë gjithë kohës, por Lacio tregoi karakter, diçka që e thekson edhe mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj. Shkodrani ishte titullar dhe luajti gjatë gjithë sfidës së Serisë A.
Sinkron Hysaj
“Kjo është një provë e madhe. Siç e kemi thënë më parë, po rritemi si skuadër, dhe kjo ishte një nga ato prova që tregon se kemi bërë hapa përpara. Ne duhet të kemi besim në forcat tona se mund t’ia dalim edhe në një fushë si kjo e Napolit. E dinim se kjo ndeshje mund të sillte një ndryshim për ne, ndaj u treguam të zotët për ta përballuar. Ishim të qetë dhe treguam se mund të bëjmë gjëra të mëdha në të ardhmen”.
Mediat italiane vlerësuan lart Lacion dhe trajnerin e saj. “La Gazeta delo Sport” ia kushton kopertinën golshënuesit Vesino, që rrëzoi Napolin, ndërsa komenton se Sarri tregoi se edhe “marsianët” mund të thyhen. “Sarri është i dyti, titullon “Il Korriere delo Sporti”, Spaleti përkulet para njeriut që i bëri dikur napolitanët që të ëndërronin!” Lacio ka 48 pikë në renditje, duke qenë në pozicion të mirë në zonën Champions, ndërsa Napoli mbetet i shkëputur në vendin e parë me 65 pikë.
Sfidanti.al