Sezoni “i zi” i Berishës dhe Strakoshës, asnjë minutë në kampionat!

Në të gjithë historinë kuqezi, kjo situatë nuk është provuar kurrë. Ndërsa i afrohemi fundit të muajit shkurt, dy portierët kryesorë të kombëtares nuk kanë luajtur asnjë minutë në kampionatet e tyre. Etrit Berisha tek Torino po kalon një kalvar të vërtetë, dhe nuk është preferuar nga trajneri Juriç as në Serinë A, dhe madje as në Kupën e Italisë. Ndër paraqitjet e fundit të tij ishin ato të edicionit të kaluar, si kjo ndaj Interit në muajin mars ku bëri një paraqitje shumë të mirë. Juriç ka portier titullar, Milinkoviç-Saviçin, por gjithsesi nuk deshi ta lejonte të largohej në janar. Gjendja është bërë edhe më e vështirë pasi trajneri e ka përjashtuar gardianin shqiptar nga ekipi besohet për arsye disiplinore, pasi ai nuk ka pranuar që të jetë vazhdimisht i dyti dhe Juriç thotë se nuk është stërvitur siç duhet. Një përmbysje e habitshme për një portier që është cilësuar për vite me radhë si një nga më të mirët në Serinë A, dhe që ka shkëlqyer me Lacion dhe Atalantën.

Tomas Strakosha ndërkaq nuk është në pozita shumë më të mira. Ai nuk ka luajtur asnjë minutë në Premier Ligë, diçka që nuk i ka ndodhur kurrë në karrierë, që në fillimet e tij tek Lacio. Kjo situatë duket se nuk ka ndërmend të ndryshojë, dhe gardiani kuqezi nuk pati mundësi as të ndryshonte skuadër në janar për t’i dhënë vetes mundësi aktivizimi. Në një sezon që dalë nga dalë po i afrohet pjesë përmbyllëse, Strakosha ka qenë në fushë vetëm në dy ndeshje, në Kupën e Anglisë në humbjen 0-1 ndaj Uest Hemit, dhe në fitoren 2-0 në stadiumin e Kolçesterit në Kupën e Ligës angleze. Kjo do të thotë vetëm dy ndeshje nga 27 dhe vetëm 180 minuta në 6 muaj. Një situatë e tillë padyshim që do të ndikojë për keq në kombëtare duke nisur që nga ndeshja e parë eliminatore e Europianit ndaj Polonisë në 27 mars.

Sfidanti.al