Luftëtari fiton duelin e Europës ndaj Tiranës, shënojnë Lamçja e Bregu!

Nëse ka një ekip që e meriton Europën më shumë se të tjerët në kampionatin shqiptar, ky është Luftëtari. Gjirokastritët ua kujtuan të gjithëve këtë kur fituan duelin kontinental ndaj Tiranës, dhe u shkëputën 6 pikë nga bardheblutë në renditje. Edhe pas javës së 26-të, vendi i katërt është i tyri. Në Gjirokastër u luajt një sfidë e fortë, ku Tirana tregoi se nuk kishte shkuar për të humbur, duke e nisur më mirë dhe duke iu afruar golit me Moisenë.

Më pas ishte më shumë Luftëtari në fushën e lojës, me Bregun që kërkoi penallti, shënoi në pozicion jashtë loje, dhe shpërdoroi rast të pastër. Pas pushimit vendasit ishin sërish më lart. Eri Lamçja shënoi në 55’, ndërsa pesë minuta më vonë, Bregu mund ta kishte dyfishuar rezultatin. Në 72’, erdhi goli tjetër vendas me autor pikërisht Bregun, pas topit të Rezhinaldos. Luftëtari fare mirë mund të kishte shkuar në 3-0, por shtylla ndaloi Bregun të shënonte përsëri.

Në fund reagoi Tirana. Hoxhallari u ndal nga portieri Ruçi dhe nga shtylla, ndërsa në minutën e parë shtesë, Sise shënoi golin e vetëm tiranas pas topit të Hoxhallarit. Gjithsesi, nuk pati më kohë edhe pse u dhanë 8 minuta shtesë dhe Luftëtari doli fitues. Tirana ka 9 javë pa fitore, dhe shpreson ta gjejë suksesin sa më shpejt.

Sfidanti.al