Mungon Ibrahimoviç? Pa problem! Mungon edhe Pogba! Dakord, por sërish nuk ka problem! Me Zhoze Murinjon në stol, Mançester Junajtid arriti një fitore pavarësisht mungesave, dhe u ngjit në vendin e pestë në Premier Ligë. Suksesi ishte 3-1 në fushën e Midëllsbrout, ku shënuan të tjerë në mungesë të yjeve kryesorë. Xhesi Lingard, Maruan Felaini dhe Antonio Valensia ishin autorët e golave, me dy të parët që ishin rishtarë përsa i përket rrjetave në kampionat.
Junajtid ka 52 pikë ndaj 50 të Arsenalit që tani ka mbetur prapa, ndërsa vetëm Çelsi, Totenhemi, Siti e Liverpuli janë mbi djemtë e Murinjos. Midëllsbrou luajti një tjetër ndeshje të dobët, dhe nuk pati as fat. Kur shkurtoi rezultatin në 1-2 me golin e Rudi Gestedit, erdhi një gabim i portierit Viktor Valdes dhe Valensia përfitoi për të fiksuar shifrat në 3-1.
Murinjo bëri 7 ndryshime nga ekipi që mundi Rostovin në Europë, por sërish pati talent në fushë. Portugezi duhet të jetë i lumtur që tani vjen ndërprerja për shkak të ndeshjeve të kampionatit dhe Pogba mund të kthehet nga dëmtimi, si dhe lojtarët të shlodhen.
Sfidanti.al