Cilësohet si një nga legjendat e këtij klubi. Nuk është pak për një shqiptar që të ketë këtë status tek Ajntrahti i Frankfurtit, por Ervin Skela ia ka dalë, dhe është një nga ata që flet për formën e tanishme të skuadrës gjermane, në prag të duelit të Championsit ndaj Napolit. Edhe pse nuk mund të jetë dot në fushë siç bënte 15 vjet më parë, sërish ai është një nga analistët në televizionin zyrtar të klubit të Frankfurtit.
Në duelin e sotëm të orës 21:00 në Champions, Skela veçon dy lojtarët e krahut, Aurelio Buta dhe Filip Maks, që mund t’u krijojnë shumë probleme italianëve. “Buta dhe Maks janë lojtarë jashtëzakonisht të mirë, mjaft ofensivë dhe shumë të shpejtë. Ata janë të aftë që të krijojnë raste për gol me pasimet e tyre dhe kjo mund ta ndihmojë shumë ekipin. Sfida do të jetë tepër e fortë, por me lojtarë të tillë Frankfurti mund të ketë besim.”
Pasi u paraqit shumë mirë në fazën e grupeve në Champions, duke u kualifikuar bashkë me Tontenhemin anglez, Frankfurti po kalon një formë shumë të mirë në Bundesligën gjermane. Ajntrahti ka humbur vetëm një ndeshje në 9 të fundit dhe është duke u ngjitur drejt zonës Champions.
Sfidanti.al