Pas goditjes që mori në Champions, Paris Sent Zhërmen kthehet te fitorja në Ligën 1. Me një festival golash dhe një përmbysje të çmendur, kampionët francezë kaluan Lilën me rezultatin 4-3. Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë për vendasit, që në 17 minutat e para të sfidës kishin shënuar dy herë. Në fillim Mbape dhe më pas Nejmar dhanë përshtypjen se kjo sfidë do të ishte një shëtitje për parizienët. Por këto parashikime nisën të zbehen pasi miqtë ngushtuan diferencën me Diakite në pjesën e parë. Por pritshmëritë do të përmbyseshin pas pushimit. Me rikthimin në fushë për fraksionin e dytë Lilë ktheu rezultatin në favorin e saj. David me 11-metërsh dhe më pas Mbamba shokuan vendasit dhe kthyen rezultatin në favorin e tyre. Por shpresat e miqve për të një fitore u shuan vetëm tre minuta nga fundi i kohës së rregullt. Mbape me golin e dytë personal barazoi shifrat. Vetëm në minutën e katërt shtesë, Lionel Mesi plotësoi përmbysjen e dytë të madhe në këtë ndeshje, duke i dhuruar Paris Sent Zhërmen një fitore qetësie pas një jave me të vërtetë zhgënjyese. Po ashtu, këto tri pikë i lejojnë parizienët të mbajnë larg rivalët në garën për titullin kampion në Ligën 1 franceze.
Sfidanti.al