Myrto Uzuni drejt dy rekordeve në Spanjë dhe me Granadën!

E pranon edhe vetë se është viti më i mirë i karrierës. Jo vetëm kaq, por Myrto Uzuni ka mundësi të hyjë në histori në Spanjë nëse vazhdon me këto ritme. Sulmuesi i kombëtares shqiptare shpreson të thyejë dy rekorde, njërin që ka lidhje me Ligën e Dytë, dhe tjetrin që ka lidhje me klubin e tij, Granadën. Së pari, Uzuni ka shanset që të bëhet shënuesi më i mirë në historinë e kampionatit ku aktivizohet. Me 17 rrjeta, ai është i pari në renditjen e Këpucës së Artë, të cilën sipas të gjitha gjasave do ta fitojë, por synon edhe rekordin. Ky rekord është me 25 gola, vendosur nga sulmuesi Rafa në 1955-1956.

Flitet për një epokë para gati 70 viteve, ndërsa Uzunit i duhen edhe 9 goditje në shenjë në 15 ndeshjet e mbetura për ta kaluar. Po ashtu, sulmuesi kuqezi mund të bëhet lojtari më i shtrenjtë i transferuar, apo i shitur nga Granada. Rekordi është 10 milionë euro, vendosur nga transferimi i tre lojtarëve, Sikeirës, Luis Suarezit dhe Maksimianos. Sipas të gjitha gjasave, beratasi 26-vjeçar do ta tejkalojë këtë shifër madje ndjeshëm. Sipas klauzolave në kontratë, kartoni i tij vlen 12 milionë euro në Ligën e Dytë të Spanjës, 18 milionë nëse e kërkon një klub i La Ligës, por gjithsesi mund të arrihet në 25 milionë euro.

Sfidanti.al