Shpresa është që të vazhdohet kështu. Interi u kthye tek fitorja në Serinë A italiane duke përballuar presionin e Milanit, e duke qenë i sigurt në zonën Champions. Skuadra zikaltër triumfoi 3-1 ndaj Udinezes në stadiumin “San Siro”, dhe ruajti pozitat në vendin e dytë në renditje, edhe pse nuk e pati aq shumë të lehtë. Tifozët ishin të lumtur me sulmuesin Lukaku që më në fund u kthye te goli, dhe me sulmuesin tjetër, Lautaro Martinez, që vazhdoi të realizonte.
Edhe mediat sportive italiane patën lavdërime. “Interi në Port, – bën lojë fjalësh “La Gazeta delo Sporti”, pasi kjo do të thotë edhe “Interi në Porto”, që është rivali në Champions. Për të përditshmen milaneze, zikaltërit bënë detyrën, edhe pse gjithashtu Milani dha rreze shprese. “Miki zgjon Interin”, shkruan “Il Korriere delo Sporti” duke lavdëruar armenin Mkitarian. Milani palos Monzën ngjitet në vend të tretë. Për fat të keq, nuk pati minutazh në fushë për mesfushorin e kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani.
Trajneri Simone Inzagi u shpreh i kënaqur. “E dinim se do të kishim përballë një skuadër të fortë fizike, ndeshje e vështirë, por besoj se pamë një Inter të madh që bëri një paraqitje të rëndësishme. Më pëlqeu gjithçka, me përjashtim të golit që pësuam. Pjesa tjetër ishte lojë e një ekipi që e dinte mirë se çfarë dëshironte”. Suksesi i Interit ishte tepër i rëndësishëm sepse Milani gjithashtu fitoi, 1-0 në fushën e Monzës. Interi është i dyti në Serinë A me 47 pikë ndaj 44 të Milanit që është i treti.
Sfidanti.al