Ndoshta shkon tek Valencia, apo ndoshta elitën e provon sërish me ekipin që ka. Myrto Uzuni ka luksin që të zgjedhë dhe kjo ndodh për shkak të formës së tij që mund ta cilësojmë të shkëlqyer. Me dy golat e fundit shënuar për Granadën, sulmuesi kuqezi arriti në kuotën 17 duke qenë dominues absolut në renditjen për Këpucën e Artë në Ligën e Dytë të Spanjës. Edhe pse këtë herë me penallti, sërish golat janë gola, dhe skuadra bardhekuqe mbetet në vendet e larta të renditjes, pikërisht në zonën e ngjitjes në La Ligë. Uzuni ka krijuar një diferencë të frikshme me ndjekësit, pasi i dyti në renditjen e golshënuesve është Raul Garsia de Haro me 10 rrjeta, pra thuajse me gjysmën e shqiptarit. Jo vetëm kaq, por sipas statistikave të mediave spanjolle, beratasi ka efikasitet të lartë, 17 golat i ka shënuar në 30 gjuajtje në kuadratin e portës.
“Granada godet nga 11 metra larg, shkruan “Marka” e Madridit, dhe e gjen veten në zonën që të ngjit në La Ligë.” “Uzuni jep shembullin dhe çon ekipin drejt kreut”, është titulli i të përditshmes tjetër madrilene, “AS”. Pritet se deri ku do të mund të arrijë sulmuesi kuqezi deri në fund të sezonit, dhe në 15 ndeshjet e mbetura ai mund të realizoi një shifër shumë më të lartë golash sesa deri tani. Po ashtu, pritet të përcaktohet se ku do të luajë Uzuni sezonin e ardhshëm me një karton që mund ta kalojë shifrën e 25 milionë eurove.
Sfidanti.al