Partizani nuk e shpërdoroi mundësinë që pati për t’u ngjitur në krye të Superligës shqiptare. Skuadra e trajnerit Starova fitoi 2-0 në kryeqytet ndaj Korabit, dhe u barazua me Kukësin në vendin e parë të renditjes të kampionatit. Në stadiumin “Selman Stërmasi” vendosën një autogol i shënuar nga Prençi në portën e vet dhe një gol i realizuar nga sulmuesi kryesor i Partizanit, Ekuban. Me këtë fitore, kryeqytetasit u ngjitën në kuotën e 51 pikëve, po aq sa Kukësi që mban vendin e parë me golaverazh më të mirë.
Në ndeshjen tjetër të Superligës të luajtur sot, Laçi fitoi duelin për mbijetesë ndaj Flamurtarit falë golit të shënuar nga Nika në pjesën e dytë. Kurbinasit kanë tani 25 pikë ndaj 22 të vlonjatëve që rrezikojnë shumë për të rënë nga kategoria.