Prag Arsenal-Man. Junajtid, kush do ta fitojë betejën në “Emirejts”?!

Janë në një seri që mund t’u japë titullin. Futbollistët e Arsenalit kanë fituar 6 nga 7 ndeshjet e fundit në Premier Ligë dhe cilësohen si kandidatët kryesorë për trofeun e madh, ndonëse sot në orën 17:30 do të kenë një provë të madhe. “Topçinjtë”, që po fluturojnë në kampionat, do të presin në shtëpi në 17:30 Mançester Junajtidin, njërën prej skuadrave me përmirësimin më të madh këtë sezon. Edhe pse londinezët e trajnerit Arteta janë më të fortët deri tani, sërish humbjen e vetme ua kanë shkaktuar “djajtë e kuq”, 3-1 në fazën e parë në “Old Traford”. Londinezët nuk kanë Gabriel Zhezusin e dëmtuar, ndërsa tre lojtarë janë në dyshim, por gjithsesi trajneri Arteta ka mundësi të bëjë zgjedhjet më të mira.

“Jam i lumtur me momentin e skuadrës dhe me lojtarët e mi, – thotë ai, – Besoj edhe tifozët janë të kënaqur. Gjithsesi, rëndësi ka ndeshja e radhës dhe ua kam sqaruar futbollistëve se çdo të thotë kjo për ne, për tifozët tanë. Tifozët do të krijojnë një atmosferë të shkëlqyer në stadium dhe ne duhet të përfitojmë prej saj”.

Junajtidi ka dy mungesa të rëndësishme si Kasemiron e pezulluar dhe Van de Bekun e dëmtuar, ndonëse në dyshim janë Dalot, Marsial dhe Sanço. Probleme jo të vogla për trajnerin Erik Ten Hag, ndonëse holandezi është i bindur se skuadra e tij është në rrugën e duhur. “Ata janë në një ecuri shumë positive, – pranoi tekniku, – Arsenali e meriton pozicionin se ku është tani. Një skuadër shumë e mirë, me stil të shkëlqyer loje, me mentalitet shumë të fortë fitues. Për këtë arsye ata janë në vendin e parë, ata janë më të mirët, por është detyra jonë që të fitojmë dhe ne do të bëjmë gjithçka për t’ia dalë”. Mançester Junajtidi ka 39 pikë në renditjen e Premier Ligë, ku kryeson Arsenali me 47 dhe me një ndeshje më pak.

Sfidanti.al