Napoli i Osimhenit dhe Spaletit thyen një rekord dhe beson titullin!

Në të vërtetë duhet të vazhdojë të bëjë kujdes, sepse asgjë nuk ka përfunduar. Madje, është mbyllur vetëm faza e parë, e duhet thënë se rivalët nuk e kanë luajtur as ndeshjen e fundit të saj. Gjithsesi, kur sheh se Napoli kryeson Serinë A me 50 pikë në 19 ndeshje, duke pasur vetëm 1 humbje e 46 gola të shënuar, 8 më shumë sesa kundërshtari më i afërt (Interi), atëherë kuptojmë se diçka e madhe po ndodh. Skuadra e trajnerit Luçiano Spaleti ka vendosur një rekord të ri në kampionat, duke thyer rekordin e saj të cilin e kishte vendosur po vetë, në 2017-2018 me 48 pikë. Natyrisht, atëherë me Sarrin nuk e fitoi dot Serinë A, por Juventusi ishte shumë më pranë. Këtë herë është ndryshe. Fitorja 2-0 në fushën e Salernitanës u arrit me golat e Xhovani De Lorencos dhe Viktor Osimhenit. “E dimë se kemi një rast të papërsëritshëm për titullin”, – thotë Spaleti. Napoli ka 50 pikë ndaj 38 të Milanit e 37 të Interit, ndërsa Juvja ka zbritur në 22 edhe pse pritet ankimimi i radhës.

Sfidanti.al