Superliga, Partizani “ngec” në Kamzë ndaj Kastriotit, tjetër hap fals në garën për titullin!

Gabimet paguhen, por të kuqtë nuk po munden që t’i shmangin. Vetëm një javë pas humbjes në shtëpi ndaj Vllaznisë, Partizani hodhi një tjetër hap fals në Abisnet Superligë pasi nuk e arriti dot fitoren ndaj Kastriotit. Në sfidën e javës së 17-të në stadiumin e Kamzës, skuadra e trajnerit Xhovani Kolela ia doli të merrte vetëm një pikë, në një barazim zhgënjyes 1-1. Edhe pse kryeqytetasit ishin në fushë me formacionin më të mirë të mundshëm, përfshi kapitenin Bitri që pritet të largohet, mesfushorin Telushi dhe sulmuesin Skuka, sërish nuk bëri dot më shumë. Presioni në pjesën e parë ishte i madh veçse pa rezultat, ndërsa pas pushimit u duk se gjërat u vunë në vend kur Cara shënoi me penallti. Nuk qe e thënë, pasi krutanët barazuan pa kaluar mirë 12 minuta me anë të Zogajt. Përpjekjet e Partizanit nuk dhanë rezultat në momentet e fundit, pavarësisht zëvendësimeve të teknikut italian. Ky barazim bën që të kuqtë të kenë tani 30 pikë, duke rrezikuar edhe më shumë në garën për titull me rivalë të tillë si Tirana, Vllaznia apo edhe Egnatia.

Sfidanti.al