Jehona në Itali për Napolin: Yjor, spektakolar, arrati për titullin!

Ishte një nga ato fitore që mund të hapin një epokë. Nuk ndodh shpesh që Napoli ta mundë Juventusin 5-1, madje nuk ndodh shpesh as që thjesht ta mundë, ndaj edhe jehona për suksesin në Serinë A ishte krejtësisht e kuptueshme. Skuadra e trajnerit Luçiano Spaleti përballoi presionin e një ndeshjeje vendimtare duke u shfaqur në versionin e saj më të mirë, një spektakël i vërtetë. Triumfit iu bashkua edhe mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani, autor i golit të tretë, ndërsa 60 000 tifozët në stadiumin “Maradona” festuan fort. Të përditshmet italiane nuk i kursyen lëvdatat për napolitanët.

“La Gazeta delo Sporti” shkruan se kjo fitore ishte një arratisje për titull, duke i dhënë notën 10 me yll skuadrës napolitane. “Napoli yjor, titullon “Il Korriere delo Sport”, shkatërrohet Juventusi që kishte arritur 8 fitore radhazi. Provë impresionuese e kryesuesve! E përditshmja “Tutosport” nga Torino gjithashtu pohon se Napoli ishte një spektakël, por akuzon Juventusin se kaloi një tjetër turpërim!

Trajneri i Napolit, Spaleti, deklaroi se kjo ishte një mbrëmje shumë e bukur, me skuadrën e tij që luajti futboll sulmues dhe të hapur, duke e merituar fitoren. Edhe trajneri i Juventusit, Alegri, pranoi se fitorja napolitane ishte e merituar, dhe pohoi se nuk duhen gjetur justifikime për këtë disfatë. Napoli mbetet i shkëputur në vendin e parë të Serisë A me 44 pikë, 10 më shumë sesa Juvja.

Sfidanti.al