Me gjasë nuk kemi mundësi tjetër, por të bindur nuk jemi. Pak a shumë kështu përmblidhet reagimi i tifozëve dhe i disa trajnerëve për teknikun e ri të kombëtares. Në stol ulet braziliani Silvinjo me kontratë 18-mujore, ish-lojtar i shquar i Brazilit, Barcelonës, Arsenalit apo Mançester Sitit, por një trajner me përvojë jo të madhe, si ndihmës i Tites tek Brazili, e pak muaj te Korinthiansi dhe Lioni. Tifozët më shumti janë kritikë për pasardhësin e Edi Rejës. Shumë prej tyre thonë se Silvinjo vjen për të bërë shkollën, të tjerë e quajnë dështimi i radhës, apo tallen duke shkruar se këtë nuk e njeh as familja e tij. Disa nga tifozët janë më optimistë duke shpresuar se ai mund të sjellë një futboll më të bukur sesa Reja. Gjithsesi, dyshimet mbeten, ka nga ata që përsërisin fjalën “autoshkollë” apo qahen se po humbim disa miliona të tjera.
Trajneri i njohur shqiptar, Shpëtim Duro, e mirëkupton Federatën. “Shqipëria ka disa trajnerë vendas shumë të mirë, – thotë tekniku i Egnatias, – që mund ta drejtojnë shumë mirë kombëtaren. Problemi është se ne kemi një mentalitet që e pengon trajnerin shqiptar të bëjë punën e tij”. Mendim të ndryshëm dhe kritik ka trajneri shkodran, Hysen Dedja. “Nëse do të kisha një votë, do t’ia jepja një trajneri shqiptar, – thotë ai, – suksesin e vetëm e patëm me De Biazin, me të tjerët nuk jemi më lart sesa ishim me trajnerët tanë”. Edhe ish-drejtori sportiv i Vllaznisë, kroati Matko Djarmati, është kundër: “Do të doja që në kombëtare të caktohej një trajner shqiptar që e ndjen fanelën”.
Sfidanti.al