Hysen Zmijani: Unë kam qenë hero tek Al Nasri përpara Ronaldos!

Nderi më i madh i tij ka qenë fanela kuqezi. Hysen Zmijani ishte një nga yjet e vërtetë të kombëtares shqiptare në vitet 80-të e fillimin e viteve 90-të, po ashtu i Vllaznisë, me nivelin e lartë teknik, elegancën e rrallë, dhe golat ndonëse mbrojtës i djathtë, ndërsa një epokë të karrierës e kaloi tek Al Nasri. Pikërisht aty ku do të luajë Kristiano Ronaldo, talenti i bukur shkodran kaloi dy vjet, nga 1993 deri në 1995, duke fituar dy tituj kampion. “Al Nasri ishte ekip i madh për Arabinë Saudite, ndërsa sot është bërë i dëgjuar në botë, – thotë Hysa, – kishte shumë tifozë dhe ata ishin shumë të dashur me ne, nuk na linin as të kalonim rrugës”.

Zmijani tregon vështirësinë më të madhe që do të ketë Ronaldo. “Nuk stërvitesh apo nuk luan dot gjatë ditës në Arabi, pasi temperature shkon 40-45 gradë, – thotë me të qeshur, – edhe Ronaldo nuk do të mundet të stërvitet përveçse në mbrëmje me drita, ose në saunë, pishinë apo palestër”.

Si ka qenë pagesa e atëhershme, a krahasohet me sot? “Për një lojtar shqiptar të asaj kohe, pagesa ka qenë shumë e mirë, – shprehet Zmijani, – nuk dua të flas për shifra, por sot edhe lojtarët më të thjeshtë tek Al Nasri marrin 15-20 herë më shumë sesa ne atëherë, dhe nuk po flas për Ronaldon”. Zmijani ishte 5 vjet më parë në Arabinë Saudite dhe tregon përparimin e madh.

Sfidanti.al