Adetokumbo vendos rekordin e karrierës me 55 pikë, por sidomos shkëlqen me … gjuajtjet e lira!

Është vlerësuar gjithmonë si një gjigand, por edhe tepër i brishtë nga vija e personaleve. Janis Adetokumbo tregoi për Miluokin ndaj Uashingtonit se ka mbrëmje në NBA kur ai di të bëjë edhe gjëra për të cilat nuk mendohet i zoti. Jo vetëm që vendosi rekordin e pikëve në karrierë, 55, por edhe shënoi 15 nga 16 gjuajtjet e lira! Mbi 93 për qind dhe diçka që nuk i ka ndodhur kurrë. Janisi shtoi edhe 10 topa në tabela e sidomos 7 asistë për të treguar kompletësinë e basketbollit të tij, me dy vjedhje topi. Forma e tij e shkëlqyer bëri që Miluoki të linte pas dëmtimin e Midëltonit dhe Hillit, si dhe problemet e Holideit. Bruk Lopez bëri gjithashtu shumë me 21 pikë e 12 topa në tabela, Bobi Portis pati 17 pikë, 13 topa në tabela, 4 asistë e 2 vjedhje topi dhe Miluoki është tani vetëm një pikë prapa Bostonit dhe Bruklinit në Konferencën Lindore.

Sfidanti.al