Juvja ka 7 fitore radhazi, por a mundet të vazhdojë gjatë kështu?!

Kur ia del në minutën e parë shtesë (91’), falë klasit individual të një Miliku nga goditja e dënimit, e kupton se ke qenë me fat. Për më tepër, kur kundërshtari ka goditur dy herë shtyllën edhe pse mjaft modest. Juventusi e arriti kështu fitoren e 7-të radhazi në Serinë A, një sukses i 7-të pa pësuar gol që tregon se Maks Alegri po i skulpturon më së miri idetë e tij pragmatiste tek “Zonja e Vjetër”. Në djall projekti global i pushtimit të zemrave me lojën e bukur të Sarrit apo Pirlos.

ADN-ja e Juves është loja “ala italiana”, dhe suksesi vlen kur mendon se u arrit me 6 dëmtime të rëndësishme. Pogba, De Shilio, Kuadrado, Bonuçi, Vlahoviç si dhe Di Maria që u lëndua në ndeshje e sipër, ndërsa Kieza hyri vetëm në pjesën e dytë. Me kalimin e kohës, ndoshta do të kemi një Juventusi më agresiv dhe më të sigurt. “Ia dolëm të largohemi nga vendi i pestë dhe të jemi më të sigurt në zonën Champions, – tha Alegri, – por, në pjesën e parë bëmë shumë gabime”.

Sfidanti.al