Ronaldo, më i paguari i sportit botëror, lë pas Kanelon, Mesin dhe Mbapenë!

Milionat janë ato që bien në sy së pari. Flasim për 200 milionë euro rrogë në vit, 500 milionë në 2.5 vjet si futbollist dhe një paketë të përgjithshme prej 1 miliardë eurosh për Kristiano Ronaldon, që do të jetë edhe ambasadori i Arabisë Saudite për Kupën e Botës të vitit 2030. Reagimet ishin të shumta për kalimin e tij zyrtar te Al Nasri, dhe analistët e tifozët patën më së shumti vlerësime negative. Në televizionet e ndryshme, si Skaj Sports, ESPN, nuk u kursyen duke e cilësuar një përfundim të keq të karrierës së tij.

Britanikja “Deili Meil” theksoi se ngjarjet e 2022 ishin që Mesi fitoi Botërorin dhe Ronaldo u largua nga Mançester Junajtidi, e tani edhe nga elita. “Marka” e Madridit shkruajti se Ronaldo priti një telefonatë që nuk arriti kurrë, dhe e kuptoi se nuk luante dot në Champions në Europë. Gjithsesi, “La Gazeta delo Sport” nga Italia theksoi një fakt që ka qenë i vetmi që e ka nxitur portugezin për të braktisur Europën. “Ronaldo kalon Kanelon dhe Mesin, për t’u bërë më i paguari”, – shkruan e përditshmja.

Me 200 milionë euro në sezon, askush nuk mund të krahasohet me Kristianon, të paktën kur vjen puna tek paratë. Kampioni i madh i boksit, Kanelo Alvarez, fiton mbi 85 milionë euro, duke qenë ende njëri nga sportistët më popullorë të botës. Lionel Mesi, kampioni i ri i botës me Argjentinën, arrin në 70 milionë euro në vit, edhe pse nuk është në nivelet e Barcelonës. Gjithsesi, edhe po të kishte mbetur në “Kamp Nou”, argjentinasi do të kishte fituar më pak se Ronaldo. Në këtë renditje nuk mund të harrohet Kilian Mbape, i cili sipas mediave spanjolle dhe franceze fiton 100 milionë euro në sezon, në bazë të rrogës dhe bonuseve të tjerë tek Paris SG.

Sfidanti.al