Përse Deshampi nxitoi ta largonte Benzemanë nga kombëtarja e Francës?!

Një yll i tillë mund t’i bëjë punë çdo skuadre. Është mister sesi një futbollist i nivelit të Karim Benzemasë, që cilësohet i domosdoshëm për Realin e Madridit dhe që sapo fitoi Topin e Artë, nuk mund të gjejë veten në kombëtare. Edhe kur flasim për Francën e mbushur me talente të mëdhenj, kampione e nënkampione bote në dy edicionet e fundit, një Benzema do të ishte luks. Gjithsesi, jo vetëm që nuk është kështu, por raporti mes palëve ka marrë përmasat e një skandali që vazhdon të shtohet, sidomos pas akuzave të agjentit të 34-vjeçari. Karim Zhaziri deklaroi se zotëron raportet mjekësore të stafit të Francës që sqarojnë se Benzema do të ishte gati për ndeshjet me eliminim direkt në Botëror.

Gjithsesi, trajneri Didie Deshamp e largoi sulmuesin nga skuadra menjëherë sapo ai pësoi dëmtim në stërvitje në prag të turneut në Katar. Më pas, Benzemaja u kthye në stërvitje për Realin në Spanjë, dhe madje mori pjesë në një ndeshje miqësore, aq sa gazetarët e ngacmuan Deshampin përpara finales nëse do ta thërriste në ekip. Reagimi i trajnerit nuk la vend për koment.

Kjo u cilësua si ofendim nga futbollisti i cili reagoi në rrjetet sociale duke shkruar “nuk më intereson”, ndërsa thuhet se refuzoi ftesën e presidentit francez, Emanuel Makron, për të ndjekur së bashku finalen ndaj Argjentinës. Tashmë, gjithçka duket se ka përfunduar pasi Benzema la të nënkuptohej po në rrjetet sociale se e ka mbyllur historinë me Francën. Do të mbeten në kujtesë golat e tij, ndërsa ylli madrilen nuk do ta fitojë dot trofeun e artë të Kupës së Botës.

Sfidanti.al