Ka disa njerëz të veçantë, por edhe skuadra të tilla që fitojnë një simpati mbarëbotërore. Nuk po flasim për ekipet e klubeve, por për kombëtaret dhe Argjentina e bëri sërish siç ia doli në 1986. Pjesa më e madhe e rruzullit ishte në anën e “rrugaçëve” nga Amerika e Jugut, të atyre njerëzve që më shumë u ngjajnë njerëzve të thjeshtë në të gjithë botën. Ata që janë quajtur rëndom “Bota e Tretë”, dhe që e shohin veten më shumë tek fanela e Argjentinës, përfaqësuese e një vendi dikur të kolonizuar, sesa tek ajo e Francës, kolonizatore “rrace”, pavarësisht se nja 15 lojtarë këtë i kishte me rrënjë nga vendet që dikur i sundonte. Nga Bangladeshi, India, Pakistani, Indonezia, Afrika, Kina apo Rusia, thirrjet “Argjentina” dhe “Mesi” ishin krejt të natyrshme, që dilnin nga shpirti i popujve. U përsërit ajo që bënte Diego Armando Maradona, “njeriu i popullit” apo Muhamed Aliu, që të dy legjenda të paharruara.
Sfidanti.al