Kur trajneri Didie Deshamp krijoi listën për kupën e botës, e dinte mirë sesa probleme do të kishte, por po ashtu edhe se alternativat nuk do t’i mungonin. Derisa nisën ndeshjet në Katar plot 9 futbollistë të Francës “u dorëzuan” duke mos qenë pjesë e ekipit. Këta ishin Pol Pogba (Juve), N’Golo Kante (Çelsi), Karim Benzema (Real), Presnel Kimpembe (PSG), Lykas Hernandez (Bajern) dhe Kristofer Nkunku (Lajpcig). Pas çerekfinales ndaj Anglisë dhe përpara gjysmëfinales kundër Marokut, Deshampi humbi edhe dy të sëmurë me grip (mos ndoshta kovid?) si Adrien Rabio (Juve) dhe Dajot Upamekano (Bajern).
Në prag të finales me Argjentinën, i sëmurë është edhe Kingsli Koman (Bajern). Sidoqoftë, kjo nuk e ka penguar Francën që të arrijë sërish finalen dhe të luftojë për të mbrojtur titullin e 4 viteve më parë. Në ekip kanë shkëlqyer Kunde, Çuameni, Rabio apo Teo Hernandez, pa harruar Muaninë, ndërsa ka disa të rinj me të ardhme të madhe si Saliba, Kamavinga, Konate, Fofana. Natyrisht, nuk mund të harrohet “garda më e vjetër” si Zhiru, Joris, Varan, Grizman, Dembele apo edhe Mbape që është vetëm 23 vjeç. Siç e thotë njohësi i mirë i Francës, ish-ylli i kombëtares shqiptare, Edvin Murati, “blutë kanë jo një, por 5 skuadra”.
Sfidanti.al