E pamundur që të ishte ndryshe. Fitoret në futboll po kremtohen si festa kombëtare dhe kështu ndodhi pasi Kroacia dhe Argjentina u kualifikuan në gjysmëfinale të Kupës së Botës. Tepër të zjarrta skenat në Zagreb dhe qytetet e tjera kroate, ku tifozët treguan gjithë karakterin dhe natyrën ballkanase. Përfaqësuesja e një kombi të vogël mundi favoritin kryesor të Botërorit, Brazilin, ndaj edhe emocionet ishin tepër të forta. Kroacia është nënkampione e botës në fuqi dhe trajneri Daliç mbetet ambicioz.
“Kjo është pikërisht fitore për kombin kroat, – thotë ish-trajneri i Dinamos, – U lumtë djemve që ia dolën. Një ndeshje e madhe nga fillimi deri në fund. Eliminuam favoritin kryesor. Kjo është Kroacia, e fortë atëherë kur duhet. Me krenari, me guxim dhe me besim, me dashuri për atdheun. Kjo është për ata që luftuan për atdheun tonë. Jemi krenar pafund, por ky nuk është fundi, le të vazhdojmë përpara”.
Sfidanti.al