Maroku është përalla e Botërorit, afrikanët e parë në gjysmëfinale!

Tifozët kanë të drejtë që të çmenden, pasi kjo nuk kishte ndodhur kurrë. Gjithmonë ka një herë të parë, veçse është tepër e veçantë kur një skuadër nga Afrika arrin në katër më të mirat në Kupën e Botës. Atë që nuk e bëri dot Kameruni, Gana, Bregu i Fildishtë apo Nigeria, e realizoi Maroku. Heronjtë e Katarit shkaktuan të papriturën më të madhe në historinë e futbollit, më të madhe sesa suksesi i Kroacisë ndaj Brazilit, duke eliminuar favoriten Portugali. Mjaftoi goli i shënuar në fund të pjesës së parë nga Jusef El Nasiri, ndërsa europianëve nuk u bëri punë dominimi në qarkullimin e topit. Vërtet, portugezët zotëruan sferën gati 75 për qind, por marokenët iu përgjigjën në çdo moment, me po aq gjuajtje drejt portës.

Nuk mjaftoi as aktivizimi i Kristiano Ronaldos, që barazoi rekordin botëror të ndeshjeve me kombëtaren duke pasur tani 196 të tilla. Çfarë dite e trishtueshme për një arritje të tillë!

Brezi i Hakimit, Bonos, Zijeçit apo El Nasirit tejkaloi bëmat e së kaluarës, që nisën qysh në Kupën e Botës në Meksikë në 1970, kur Maroku arriti për herë të parë në finale. Ishte koha kur Botërori luhej me vetëm 16 ekipe, dy herë më pak se sot. Duket se Meksika ishte fatsjellëse për afrikanët e veriut, pasi ata shkëlqyen edhe më shumë në Kupën e Botës 1986, duke dalë në vend të parë në grupin me Anglinë, Poloninë e pikërisht Portugalinë. Në atë kohë, marokenët fituan edhe më bindshëm 3-1 ndaj luzitanëve, ndërsa eliminimi në raundin e dytë ishte një dramë, vendosur nga goli i Lotar Mateusit për Gjermaninë Perëndimore dy minuta para fundit. Të mos mërziten, pasi brezi i sotëm ua ka marrë hakun.

Sfidanti.al