Brazili, kualifikim “me këngë e me valle” i favoritëve!

Natyrisht, ende nuk kanë provuar një test vërtet të vështirë në këtë Kupë të Botës, e ndoshta i tillë nuk do të jetë as ai ndaj Kroacisë në çerekfinale. Gjithsesi, një Brazil që fiton 4-1 në raundin e dytë nuk mund ta quajmë ndryshe përveçe të frikshëm. Me Nejmarin në fushë si “kokrra e mollës”, pesë herë kampionët e botës nuk patën as mëshirë dhe as problem ndaj Koresë së Jugut dhe reparti sulmues e tregoi gjithë shkëlqimin e tij. Vinisius, Nejmar dhe Risharlison realizuan, përpara sesa këtë ta bënte edhe Lukas Paketa, për një avantazh 4-0 që në pjesën e parë.

Kthimi në formacion i lojtarëve titullarë bëri të vetën dhe u la pas humbja ndaj Kamerunit, ndërsa trajneri Tite festoi dhe vallëzoi bashkë me futbollistët e tij. Pas pushimit nuk qe e nevojshme që të shpenzoheshin shumë forca ndërsa në çerekfinale, ekipin favorit e pret Kroacia. Me gjasë, do të jetë një duel shumë më i vështirë edhe pse brazilianët do të jenë sërish në rolin e ekipit për t’u mundur.

Sfidanti.al