“L’Ekip” për Kilian Mbapenë: O Zot, ruaje Mbretin tonë!

Ambicia nuk i ka munguar kurrë, por ndoshta as vetë nuk e mendonte se do të arrinte kaq shpejt deri këtu. Kilian Mbape është vetëm 23 vjeç, por tashmë po cilësohet si superylli i ri i madh i futbollit botëror. Dy golat ndaj Polonisë ishin jo vetëm një tjetër konfirmim, por edhe parakalimi i legjendave të mëdha sepse ka 9 rrjeta. Kopertinat e gazetave ishin për të.

“Zot shpëto Mbretin tonë”, titullon “L’Ekip”, duke lidhur himnin britanik me çerekfinalen që Franca e Mbapesë do të ketë me Anglinë. Për të përditshmen tjetër franceze, “Le Parisien” “trekolorët” dhanë një “spektakël dehës” në fitoren e panjollë ndaj Polonisë. “Marka” e Madridit e ka titullin një fjalë të vetme, “Mbalado”: Kiliani, kryeshënuesi dhe udhëheqësi i Francës! “La Gazeta delo Sporti” mjaftohet me foton e Mbapesë, që e shoqëron me Zhirunë e Milanit me titullin: Firma e Zhirusë!

Nga Polonia pati një kritikë të ashpër për kombëtaren që u mund nga Mbapea dhe Franca, me titullin: Pa turp, pa fund të lumtur! Natyrisht, mediat angleze kishin lajm të parë fitoren e kombëtares së tyre, por theksuan se tani vjen përballja e madhe me Francën, siç shkruan “Deili Meili”. Vetë Mbape më në fund doli në konferencë për shtyp, ndërsa ka marrë disa gjoba.

“Jam shumë i lumtur që u kualifikuam, – tha ai, – Nuk ishte një ndeshje e lehtë, pasi Polonia është skuadër e fortë. Gjithsesi, ne e bëmë detyrën dhe dëshirojmë të arrijmë deri në fund. Kupa e Botës është një fiksim për çdo lojtar, është synimi im kryesor. Sa për gjobat për konferencat e shtypit, ato do t’i paguaj unë, jo Federata”. Tashmë, Franca ka nevojë për Mbapenë në çerekfinalen e hekurt ndaj Anglisë në 10 dhjetor.

Sfidanti.al