Është dita e favoritëve. Brazili është cilësuar si kandidati numër 1 për të fituar Kupën e Botës, por kredencialet duhet t’i vërtetojë edhe një herë sot, në përballjen e orës 20:00. Një duel i raundit të dytë që në letër duket i lehtë ndaj Koresë së Jugut, veçse në një kampionat të çmendur “Selesao” do të bënte gabimin më të madh nëse do të kishte nënvleftësimin edhe më të vogël. Pyetja kryesore që bëhet është: A do të luajë sonte Nejmari, dhe sidomos a do të jetë titullar? Kapiteni u kthye në stërvitje në krah të shokëve të ekipit dhe u duk se u ushtrua fare mirë, pa treguar asnjë shenjë problemi. Trajneri Tite nuk sqaroi gjë, por pritet që sulmuesi të jetë që nga minuta e parë, ndonëse Brazili ka humbur, por Gabriel Zhezus e ka humbur Botërorin ashtu si Aleks Tejes. “Përsa i përket Nejmarit, e dija se do të ma bënit këtë pyetje, – tha ai, – Nëse do të stërvitet siç duhet dhe nuk do të ketë probleme, do të luajë. Gjithsesi, nuk dua të flas para kohe, nuk mund ta themi me siguri. Unë kam qenë gjithnjë kështu me mediat, nuk kam folur para kohe. Kjo vlen për të gjithë lojtarët”. Koreanojugorët kanë shkaktuar edhe ata të papritura në këtë Botëror, duke mundur Portugalinë e duke eliminuar Uruguajin, ndërsa nuk kanë asnjë lloj presioni pasi prej tyre nuk pritet asgjë.
Sfidanti.al