Le ta quajmë Botërori i Mbapesë, superylli shkëlqen në fitoren e Francës!

Kampionët e rruzullit ishin shumë të mirë katër vjet më parë, por sërish duken të frikshëm, pavarësisht mungesave. Vërtet, lojtarë si Benzema, Pogba, Kante nuk janë në Katar, dhe po ashtu Pavar nuk është aspak në formën e shkëlqyer që kishte në Rusi. Sidoqoftë, trajneri Didie Deshamp ka të tjerë lojtarë me klas e mbi të gjithë Kilian Mbapenë. Duket se në moshën 23-vjeçare ai po arrin pjekurinë, diçka që nuk e kishte në 2018, por sidoqoftë la përshtypje të thella edhe atëherë. Mbape realizoi dy gola shumë të bukur dhe ishte emblema e Francës, që arriti në çerekfinale të Kupës së Botës me fitoren 3-1 ndaj Polonisë.

Olivie Zhiru shënoi golin e parë në 44’, dhe pastaj Mbape realizoi në 74’ dhe në minutën e parë shtesë (90’+1). Robert Levandovski, me shumë vështirësi, realizoi rrjetën e nderit për polakët me një penallti që e gjuajti dy herë pasi u prit së pari nga portieri Hugo Joris. Leva e dërgoi më në fund topin në rrjetë në minutën e 9-të shtesë! Deshamp padyshim që ishte i lumtur me emrat që pati në fushë si Kunde, Varan, Çuameni, Upamekano, Teo Hernandez, Rabio, Dembele, Grizman, Mbape e Zhiru. Yje që luajnë për Realin, Barcelonën, Bajernin, Milanin, Juventusin apo Paris SG. A mund të thuhet se Franca është favorite për titullin? Duhet pritur për të parë se çdo të bëjnë gjigandët e tjerë, por me këtë Mbape padyshim që është e frikshme

Franca (4-2-3-1): Joris, Kunde (Diasi 90’), Varan, Upamekano, Teo Hernandes, Çuameni (Fofana 66’), Rabio, Dembele (Koman 76’), Grizman, Mbape, Zhiru (M. Turam 76’).

Sfidanti.al